Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importimin e 1,080 litrave vaj ulliri për sallatë, pas kontrollit të realizuar nga Inspektorati Fitosanitar Kufitar në pikën doganore në Vërmicë.
Sipas njoftimit, lënda me numër aplikacioni PIKF297960/2026, e datës 18.02.2026, i përkiste kompanisë “Euro Made 2021” nga Lushnja, Shqipëri, dhe ishte destinuar për eksport në Kosovë.
Gjatë kontrollit fizik, inspektorët kanë konstatuar se produkti nuk përmbante të dhënat e nevojshme në deklaracionin e mallit. Po ashtu, është vërejtur se vaji ishte transportuar në kushte jo të mira higjienike dhe së bashku me mallra jo ushqimore, përfshirë detergjentë, duke rritur rrezikun e kontaminimit.
Në bazë të Ligjit të Ushqimit, Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe rregulloreve përkatëse të sigurisë ushqimore, produkti është vlerësuar si i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për konsum, prandaj nuk është lejuar të hyjë në territorin e Kosovës.
AUV thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të zinxhirit ushqimor, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në vend.