Peja ka humbur një prej figurave të saj më të rëndësishme sportive. Rifat Kasapolli, një nga themeluesit e Klubi i Tenisit Peja, ka ndërruar jetë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në sportin kosovar.
Kasapolli ishte pjesë e gjeneratës që në vitin 1992 themeloi klubin, në një periudhë të vështirë për sportin në vend.
Me përkushtimin e tij si themelues, trajner dhe gjyqtar, ai kontribuoi në shndërrimin e Pejës në një nga qendrat kryesore të tenisit në Kosovë, duke edukuar dhe frymëzuar breza të tërë sportistësh.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë komunitetin sportiv dhe qytetarët e Pejës, të cilët e kujtojnë si një njeri të urtë, të ndershëm dhe të përkushtuar ndaj sportit.
Në telegramin e ngushëllimit, Klubi i Tenisit Peja theksoi se humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për gjithë komunitetin dhe për mbarë tenisin kosovar.
“Ai la gjurmë të pashlyeshme në breza të tërë sportistësh dhe në zhvillimin e tenisit në vendin tonë. Kujtimi i tij do të jetojë në çdo top që goditet dhe në çdo fitore që do të arrihet”, thuhet në reagim.
Rifat Kasapolli do të mbahet mend si një prej shtyllave të sportit në Pejë dhe si një figurë që i dha shumë tenisit kosovar.
Ngushëllime familjes Kasapolli, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv. U prehtë në paqe. /Telegrafi/