Nate Diaz ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim spektakolar në Ultimate Fighting Championship (UFC), duke shprehur dëshirën për ta mirëpritur sërish në kafaz rivalin e vjetër, Conor McGregor.
Diaz u largua nga UFC pas skadimit të kontratës së tij, duke e mbyllur aventurën me një fitore me nënshtrim ndaj Tony Ferguson në eventin UFC 279 në shtator 2022.
Më pas ai u rikthye në sportet luftarake me dy duele të profilit të lartë në boks, përballë Jake Paul dhe ish-rivalit të UFC-së, Jorge Masvidal.
Diaz humbi me pikë ndaj Paul në vitin 2023, por u hakmor ndaj Masvidal, duke fituar me vendim unanim në përballjen e tyre në vitin 2024.
Megjithatë, një rikthim në UFC duket gjithnjë e më i mundshëm pas postimit të tij të fundit në rrjetet sociale, ku ai deklaroi se synon të rikthejë “fronin” si BMF në këtë sport. Ai shpërndau një video nga momenti kur sfidoi Masvidalin në UFC 241, duke e shoqëruar me një mesazh të fortë.
“Le të mos bëjmë sikur nuk e kam nisur unë një divizion të tërë duke u dhënë vlerë të gjithë këtyre që pretendojnë se janë më të mirët. U dhashë mundësi dhe paralajmërova për përballjet më të forta. Kam punë të papërfunduara dhe planifikoj të shkoj e të marr atë që më takon sa më shpejt. I pari që nisi një divizion dhe më i forti nga të gjithë.
“Ju mirëpres, do të shihemi së shpejti. Po vij”.
Nëse Diaz nuk arrin të sigurojë një duel për titullin BMF, që aktualisht mbahet nga Max Holloway, atëherë një super-përballje e tretë me McGregor mund të jetë alternativa më e madhe komerciale.
McGregor po synon gjithashtu rikthimin në UFC dhe shpreson të jetë pjesë e një eventi të madh në Shtëpinë e Bardhë në qershor. Diaz ka kërkuar tashmë që trilogjia me irlandezin të zhvillohet pikërisht atje.
“Po, sigurisht që e dua atë ndeshje. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Koha do ta tregojë”, deklaroi ai për Clocked N’ Loaded.
Diaz dhe McGregor janë 1-1 në përballjet e tyre epike të vitit 2016. Amerikani befasoi botën e MMA kur e mposhti McGregorin me nënshtrim në UFC 196. Disa muaj më vonë, irlandezi triumfoi pas një lufte pesë-raundëshe në UFC 202, duke barazuar serinë.
Të dyja përballjet gjeneruan të ardhura të mëdha dhe shifra të jashtëzakonshme në pay-per-view në Las Vegas, ndaj një trilogji do të ishte një biznes gjigant për UFC-në./Telegrafi