Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar partitë e opozitës, siç kanë thënë, për dështimin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Në partinë e Albin Kurtit, pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, thanë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, derisa kërkuan edhe vendosjen e masës së përkohshme.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se mosprezenca e deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së është dëshmi për tendencën e tyre për të pamundësuar zgjedhjen e presidentit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
“Kjo qasje dëshmon tendencën e këtyre dy partive që të pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe të dërgojnë vendin në zgjedhje”, tha ajo.
Nagavci tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, siç tha, për mosprezencën e deputetëve të partive opozitare në seancën plenare për zgjedhjen e presidentit.
“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese që tani. Do të kërkojmë nga Kushtetuesja që të marrë masë dhe në këtë rast bëjmë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona. Besojmë se deputetët që nuk kanë marrë pjesë në votim dhe kanë pamundësuar kuorumin kanë bërë shkelje kushtetuese”, shtoi ajo.