Ambasada Gjermane në Prishtinë ka njoftuar se këngëtari i njohur kosovar, Yll Limani, pritet të sjellë së shpejti muzikën në Gjermani përmes koncerteve të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve kulturore, duke vënë në pah lidhjet e forta mes Kosovës dhe Gjermanisë, veçanërisht për shkak të diasporës së madhe kosovare që jeton atje.
Në postimin e saj, Ambasada Gjermane shkruan:
Po bëhemi gati për koncert, miq!
Yll Limani së shpejti do ta sjellë muzikën më të mirë pop nga Kosova në Gjermani.
Me një nga diasporat më të mëdha kosovare që jeton në Gjermani, këto ngjarje janë një kujtesë e bukur e lidhjeve të forta kulturore mes komuniteteve tona.
I Ngarkuari me Punë, Christian Böttcher, pati kënaqësinë të takojë Yll Limanin dhe të diskutojë për rëndësinë e shkëmbimit kulturor dhe rolin që artistët luajnë në lidhjen e njerëzve përtej kufijve.
Përmes muzikës dhe kulturës, kreativiteti i gjallë i Kosovës arrin te audienca të reja, duke forcuar njëkohësisht lidhjen me diasporën tonë.
Presim me padurim që këto koncerte të bashkojnë njerëzit dhe të festojnë hapësirën e përbashkët kulturore mes Kosovës dhe Gjermanisë
Në fotografinë e publikuar bashkë me postimin, Yll Limani shihet së bashku me përfaqësues të Ambasadës Gjermane gjatë një takimi në Prishtinë. /Telegrafi/