Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ritheksuar se çështja e presidentes do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen tre hapat emergjentë të përcaktuar nga Qeveria.
Duke folur para mediave të premten, Murati theksoi se kryeministri tashmë ka sqaruar qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, fillimisht duhet të përmbyllen tre prioritetet emergjente, ndër të cilat aktualisht në fokus është miratimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë afat skadence.
“Çështjes së presidentit, kryeministri gjatë ditës së djeshme e sqaroi që pasi të përmbyllen tre hapat emergjent, njërin ndër ta jemi pikërisht tani, miratimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë afat skadence. Ai është i gatshëm që të ulet me subjektet tjera politike që përfaqësohen në kuvend dhe të diskutojë se si të gjendet zgjedhja për të ecur tutje. Nga dje deri më sot nuk është se ka ndryshuar diçka, qëndrimi vazhdon të jetë i njëjtë”, ka deklaruar Murati.
Ai shtoi se fokusi aktual i Qeverisë mbetet procedimi sa më i shpejtë në Kuvend i marrëveshjeve ndërkombëtare, në mënyrë që ato të vihen në dispozicion të Republika e Kosovës.
Sipas Muratit, zbatimi i reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian përbën një nga përfitimet më të mëdha në raport me bruto produktin vendor, duke theksuar se Kosova është ndër përfituese kryesore nga këto marrëveshje. /Telegrafi/