Shëndeti seksual nuk është luks, por një komponent thelbësor i mirëqenies fizike dhe emocionale të njeriut.
Kështu u shpreh seksologu Hajrullah Fejza në episodin e 69-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital.
Sipas tij, një nga problemet më të mëdha në shoqërinë tonë është mungesa e edukimit të mirëfilltë mbi seksualitetin.
“Shëndeti seksual është pjesë e shëndetit të përgjithshëm dhe edukimi mbi seksualitetin është i domosdoshëm”, theksoi Fejza.
Ai rrëzoi një nga mitet më të përhapura, duke sqaruar se edukimi seksual nuk ndikon në fillimin e hershëm të marrëdhënieve seksuale.
Përkundrazi, sipas tij, ai i pajis të rinjtë me njohuri të sakta dhe i ndihmon të marrin vendime më të pjekura.
Fejza theksoi gjithashtu rolin kyç të prindërve në këtë proces. Ai paralajmëroi se shmangia e pyetjeve të fëmijëve mund t’i shtyjë ata të kërkojnë informacione të pasakta në burime të tjera.
“Fëmija devijon kur nuk ka informacione, jo kur merr informata të sakta”, u shpreh ai.
– YouTube www.youtube.com
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u diskutua ishte ndikimi i stresit dhe ankthit në jetën seksuale.
Sipas Fejzës, truri është organi kryesor seksual dhe çdo ngarkesë psikologjike ndikon drejtpërdrejt në performancën dhe dëshirën seksuale.
Ai ngriti shqetësimin edhe për ndikimin e pornografisë tek të rinjtë, duke theksuar se ajo krijon pritshmëri joreale dhe shpesh çon në probleme në marrëdhënie.
“Pornografia është film, nuk ka të bëjë me jetën reale”, theksoi ai.
Në fund, seksologu vuri në pah rëndësinë e komunikimit në çift, duke e cilësuar atë si bazë për një marrëdhënie të shëndetshme.
“Komunikimi seksual është çelës – pa të nuk ka marrëdhënie të mirë”, tha Fejza.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/