Ministria e Punëve të Brendshme njofton opinionin publik se është duke u zhvilluar një aksion i gjerë, në kuadër të të cilit është sekuestruar një sasi e madhe marijuane.
Në një subjekt juridik në Shkup janë gjetur dhe sekuestruar rreth 9 tonë marijuanë, si dhe mbi 1.300 shishe vaj të prodhuar nga kanabisi (gjysmëprodukt). Ndërkohë, nga disa subjekte juridike në rajonin lindor të vendit, janë sekuestruar mbi 31 tonë marijuanë dhe biomasë.
Në koordinim me Drejtorinë e Doganave dhe Komisionin kompetent për kontroll të kësaj veprimtarie pranë Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer kontrolle në disa subjekte juridike, aktiviteti kryesor i të cilave është kultivimi i bimëve aromatike, mjekësore dhe atyre për përdorim farmaceutik. Paralelisht, në bashkëpunim me një prokuror publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, po ndërmerren masa për të konstatuar nëse marijuana e sekuestruar së fundmi në Republikën e Serbisë ka origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Duke qenë se një nga personat e dyshuar dhe të arrestuar në Serbi është pjesë e strukturës pronësore të subjektit juridik në Shkup, janë kryer kontrolle të detajuara mbi sasinë e gjetur në këtë subjekt, si dhe mbi të gjithë dokumentacionin e sekuestruar në ambientet e tij. Në bazë të dokumentacionit të gjetur, Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë ka përpiluar një procesverbal, ku janë konstatuar një sërë parregullsish dhe mospërputhje të mëdha lidhur me sasinë e kanabisit që subjekti posedon, prodhon, blen dhe shpërndan.
Për shkak të parregullsive të konstatuara dhe pas njoftimit nga prokurori publik kompetent, nga ambientet e këtij subjekti juridik është sekuestruar e gjithë sasia e marijuanës së gjetur. Gjithashtu, janë kryer kontrolle edhe në disa subjekte juridike në rajonin lindor, ku janë evidentuar parregullsi dhe mospërputhje të ngjashme, pas çka është sekuestruar sasia e gjetur.
Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ku është formuar një ekip i posaçëm për këtë dhe raste të ngjashme, do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim me ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.
MPB njofton se pas përfundimit të aksionit dhe pas sqarimit të plotë të rasteve, publiku do të informohet në mënyrë të detajuar.