Një tragjedi e rëndë ka tronditur Italinë dhe komunitetin shqiptar, pas humbjes së jetës së katër anëtarëve të familjes Kola në banesën e tyre në Porcari, pranë Luccës.
Familja dyshohet se është helmuar nga monoksidi i karbonit, një gaz i padukshëm dhe vdekjeprurës.
Sipas mediave italiane, alarmi u dha nga djali 22-vjeçar, i cili telefonoi qendrën e emergjencës 112, duke thënë fjalët dramatike:
“Motra ime është sëmurë, nuk e dimë çfarë ka”.
Gjatë telefonatës, i riu arriti të japë edhe adresën, por për shkak të gjendjes së rënduar, ngatërroi numrin e banesës. Para se të humbiste frymën, ai tha një adresë por tregoi gabimisht numrin e shtëpisë (tha 168 në vend të 186), që bëri që ambulanca të vinte rreth e rrotull për të gjetur shtëpinë. Si pasojë, ambulanca u drejtua fillimisht në adresën e gabuar dhe ndihma mjekësore mbërriti rreth dy orë me vonesë. Kur ekipet e emergjencës arritën më në fund në banesën e saktë, të katër anëtarët e familjes ishin pa shenja jete.
Viktimat janë:
• Arti Kola, 48 vjeç
• Jonida Kola, 43 vjeçe
• Hajdar Kola, 22 vjeç
• Xhesika Kola, 15 vjeçe
Hetimet paraprake tregojnë se shkak i ngjarjes ka qenë rrjedhja e monoksidit të karbonit, ndërsa disa prej personave të ndihmës që hynë në banesë pas ngjarjes shfaqën gjithashtu shenja helmimi dhe u trajtuan nga mjekët.
Ngjarja ka hapur debat në Itali mbi menaxhimin e thirrjeve të emergjencës dhe rrezikun e madh që paraqesin pajisjet ngrohëse pa standarde sigurie. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që i mori jetën një familjeje të tërë. /Euronews.al/