Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, zhvilloi një aksion simbolik para degës së Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) duke thënë se i ka dërguar “kartelën e anëtarësisë” kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Ai tha se kjo parti nga zhvillimet e fundit të kryetarit Hamza është shndërruar në degë të LVV-së.
“Qysh po e shihni, në mënyrë simbolike ia kemi pru kartelën e anëtarësisë kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës. Ajo çka ka ndodh pas procesit zgjedhor të 28 nëntorit është që një opozitë që do duhej të ishte formale bile në Kuvendin e Kosovës është shndërruar në degë të Vetëvendosjes”, deklaroi Molliqaj.
Sipas tij, për një vit partitë opozitare nuk janë takuar as me kryeministrin Albin Kurti dhe as mes vete për të diskutuar formimin e qeverisë.
“Pas një viti, nën pretekstin që Kosovës nuk i duhen më zgjedhje, tash po thonë se mund t’ia votojnë presidentin që e propozon LVV-ja. Po ku keni qenë deri tash? Pse na çuat dy herë vitin e kaluar në zgjedhje? Pse nuk u bëtë bashkë PDK-LDK e AAK, e as me Albinin kurrë njëri?”, u shpreh ai.
Molliqaj kritikoi edhe qëndrimet e mëhershme lidhur me postin e kryetarit të Kuvendit, duke përmendur emrin e Albulena Haxhiu.
“Qysh është e mundshme që s’bën Albulena Haxhiu me qenë kryetare e Kuvendit, që i takon edhe me Kushtetutë herën e kaluar, po bën me ia zgjedh presidentin që don Albini?”, tha ai.
Sipas kreut të PSD-së, zhvillimet e fundit po i shërbejnë “koncentrimit të pushtetit absolut” te Kurti dhe interesave të ngushta partiake.
Ai përmendi si shqetësim kapjen e mundshme të postit të kryeprokurorit të shtetit dhe zgjedhjen e shtatë nga nëntë gjyqtarët e Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Nuk është problemi i emrave. Problemi është që kjo e koncetron pushtetin te Albin Kurti dhe ai i ka dy synime: kapjen e kryeprokurorit të shtetit dhe zgjedhjen e shtatë gjyqtarëve nga 9 që i ka Gjykata Kushtetuese, dy aktualisht e pesë e përfundojnë mandatin në muajin gusht”, tha Molliqaj.
Molliqaj po ashtu aksionin e njëjtë simbolit e ndërmori edhe para degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke shtuar se zhvillimet e fundit politike tregojnë për një rrezik serioz ndaj demokracisë në vend. /Telegrafi/