Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se gjatë këtij viti pritet të fillojë realizimi i projektit për ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, i cili konsiderohet si projekti më i madh investiv në Mitrovicë që nga periudha e pasluftës, me një vlerë të përgjithshme rreth 40 milionë euro.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës, Faton Peci, i cili ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit dhe përmirësimin e kushteve mjedisore.
Me këtë rast, kryetari Peci, së bashku me kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti, kanë vizituar nga afër lokacionin ku është planifikuar të ndërtohet impianti.
Sipas Komunës, ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në pastrimin e ujërave të ndotura, mbrojtjen e lumenjve dhe përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes mjedisore në Mitrovicë dhe zonat përreth.
Projekti synon gjithashtu ruajtjen e florës dhe faunës, si dhe zvogëlimin e ndotjes që për vite me radhë ka qenë një nga sfidat kryesore të qytetit.
Nga Komuna e Mitrovicës është bërë e ditur se ky investim strategjik do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët, duke e shndërruar Mitrovicën në një qytet më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të gjelbër.
Institucionet komunale kanë theksuar se janë të përkushtuara që projekti të realizohet sipas standardeve bashkëkohore dhe në përputhje me kërkesat mjedisore. /Telegrafi/