Hapësira publike shqiptare sot është e përmbytur nga kakofonia e komenteve politike; nga propaganda qeveritare dhe deklaratat e nxehta partiake, e deri te analizat sipërfaqësore televizive apo polemikat e zhurmshme në rrjetet sociale. Por, ka edhe një mënyrë shumë më të ftohtë, profesionale dhe të pakontestueshme për ta analizuar realitetin politik nëpërmjet studimeve akademike ndërkombëtare.
Në teatrin politik shqiptar, ku zhurma propagandistike zëvendëson llogaridhënien dhe mjegullon të vërtetat e pakëndshme, raporti i fundit i sapodalë i institutit Varieties of Democracy (V-Dem) vjen si një dush i ftohtë realiteti. Në këtë kuptim, raporti që nxjerr rregullisht V-Dem përbën ndoshta radiografinë më të plotë dhe më akademike që qarkullon sot për gjendjen e demokracisë në botë, duke u mbështetur në qindra indikatorë institucionalë dhe në mijëra ekspertë ndërkombëtarë.
Diagnoza për Shqipërinë është sa e qartë aq edhe shqetësuese duke treguar se vendi nuk po shënon progres, por është mbërthyer në një ngecje. Në planin empirik, Indeksi i Demokracisë Liberale (LDI) tregon se Shqipëria ka pësuar një rënie graduale gjatë dekadës së fundit (nga 0.56 në 2015, në 0.53 në 2025 kur niveli i demokracisë matet mes 0-1). Ndonëse statistikisht duket e papërfillshme, kjo lëvizje tregon një trend regresi dhe nënkupton koston e jashtëzakonshme oportune të një dekade të çuar dëm në vendnumëro. Institucionet demokratike pra nuk po konsolidohen; përkundrazi, ato po humbasin gradualisht substancën e tyre liberale. Prandaj, një rënie e tillë interpretohet nga studiuesit si indikator i stagnimit ose i fillimit të një procesi të butë autokratizimi institucional.
Më domethënëse se vetë shifra është klasifikimi tipologjik i raportit, ku Shqipëria nuk përfshihet as në kategorinë e demokracive liberale dhe as në atë të autokracive elektorale; por kategorizohet në atë që V-Dem e quan “zona gri e demokracisë”. Në literaturën e tranzicioneve kjo kategori përshkruan regjime ku pluralizmi dhe zgjedhjet ruhen si fasadë për të maskuar monopolizimin e pushtetit dhe ku dimensionet liberale të demokracisë si kontrolli institucional mbi ekzekutivin, sundimi i ligjit apo autonomia e medias, mbeten tejet të dobëta.
Pra, kemi zgjedhje, Parlament e gjykata; porse zgjedhjet janë procese administrative të dyshimta pa garë të barabartë; Parlamenti është shndërruar në noter të ekzekutivit; gjykatat, ndonëse me SPAK-un relativisht efikas, mbeten ende vulnerabël ndaj presionit politik dhe pengesave të ekzekutivit. Ky është një sistem ku institucionet ekzistojnë vetëm si dekor, ndërsa vendimmarrja reale është zhvendosur në zyra të mbyllura te qeverisë e ortakëve të saj, shumë larg kontrollit qytetar.
Ky pozicionim është i rëndësishëm sepse sugjeron që Shqipëria nuk ndodhet më në fazën klasike të tranzicionit demokratik, por në atë që politologët e quajnë “ekuilibri i reformave të pjesshme” si një gjendje ku institucionet demokratike ekzistojnë, por nuk zhvillohen më tutje. Politologu Joel Hellman e përshkruan këtë fenomen në vitin 1998 me teorinë “fituesit marrin gjithçka” ku thekson se pengesa më e madhe për reformat nuk janë ata që dëmtohen prej ndryshimit, por pikërisht përfituesit e reformave të pjesshme. Këta “fitues të tranzicionit” ndërtojnë pushtetin mbi reforma të papërfunduara dhe pastaj bëjnë gjithçka për t’i ndalur ato përpara se të bëhen plotësisht të vërteta. Kuptohet nëse ato thellohen, ata s’kanë mundësi të vazhdojnë me abuzimin e pushtetit.
Po ta bëjmë një retrospektivë historike ky mekanizëm bëhet edhe më e qartë në Shqipëri. Grafiku i shtrirë në kohë i V-Dem për Evropën Lindore tregon se Shqipëria pati përmirësim relativ të ndjeshëm gjatë dy dekadave pas rënies së komunizmit, por që prej mesit të viteve 2010 trajektorja është praktikisht e sheshtë. Në termat e teorisë së konsolidimit demokratik, kjo nënkupton se sistemi politik shqiptar nuk ka arritur të kalojë nga faza e demokracisë elektorale në atë të demokracisë liberale funksionale, por po betonizohet në një nivel të ndërmjetëm si limbo institucional.
Kontrasti bëhet edhe më i dukshëm kur Shqipëria krahasohet me Kosovën, e cila në të njëjtin raport, klasifikohet si “demokraci elektorale”, një kategori më e lartë në tipologjinë e regjimeve. Në vitin 2015 e kishte treguesin 0.58 ndërsa në 2025 ajo shënon 0.60, një rritje të zbehtë duke u vendosur në segmentin 30-40 përqind të vendeve më demokratike në botë. Kjo do të thotë se një shtet shumë më i ri, me të njëjtin komb por me sfida shumë herë më të mëdha strukturore arrin të ruajë një trajektore relativisht më pozitive demokratike sesa Shqipëria. Nëse Kosova rritet me gjithë sfidat e shtetformimit e sulmet nga jashtë, dështimi i Shqipërisë del qartazi se është i shkaktuar vullnetarisht dhe nuk është fatkeqësi e shkaktuar prej rrethanave tipike ballkanike.
Prandaj, ky ngërç apo kjo amulli, nuk është aspak aksident, por është një ekuilibër i qëllimshëm. Për elitën politike, një demokraci liberale funksionale është e rrezikshme. Prandaj, Shqipëria mbahet qëllimisht në këtë gjendje agonie; as autokraci e hapur që do të sillte sanksione, as demokraci liberale që do të kërkonte llogaridhënie e zbatim ligji. Thënë ndryshe, ne nuk kemi një tranzicion që po ecën përpara ngadalë, por kemi një “tranzicion permanent” që është ngrirë enkas për të mbrojtur status-quo-në e pushtetit. Rezultati i kësaj sjellje të elitës, nuk është domosdoshmërisht një autokraci klasike, por një demokraci hibride që po betonizohet në një nivel të ndërmjetëm si limbo institucional.
Por, dimensioni më kritik i kësaj diagnoze lidhet me një çështje strategjike e aspiratë mbarë-kombëtare, integrimin në Bashkimin Evropian. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është vetëm një proces teknik negociatash apo spektaklesh shumëngjyrëshe para liderëve evropian; ai është para së gjithash një proces i konsolidimit institucional. Kriteret e Kopenhagës për anëtarësim kërkojnë pikërisht atë që V-Dem mat: sundimin e ligjit, kontrollin mbi pushtetin ekzekutiv dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Në këtë kuptim, radiografia e V-Dem ekspozon hipokrizinë e kastës politike shqiptare. Ndërsa retorika zyrtare e qeverisë e paraqet integrimin evropian si një proces në progres të vazhdueshëm, të dhënat akademike demonstrojnë se institucionet demokratike nuk po konvergojnë me standardet evropiane me ritmin e pretenduar. Një vend që mbetet për një dekadë të tërë në “zonën gri” demokratike rrezikon të mbetet edhe në zonën gri të integrimit evropian. Prandaj, tragjedia sot nuk është se Shqipëria nuk e do Evropën; tragjedia është se elita e saj e konsumuar politike duket e gatshme ta mbajë vendin larg Evropës vetëm për të mbajtur pushtetin pranë vetes. /Telegrafi/