Qeveria e Shqipërisë miratoi këtë të enjte projektligjin e Amnistisë Penale. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ministrit, nga kjo amnisti përfitojnë 447 persona që lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 853 të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj, raporton euronews.al
Lamallari bëri të ditur se, bazuar në të dhënat e përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Përgjithshme, 5077 persona të dënuar me masa alternative amnistohen nga Shërbimi i Provës. Po ashtu, duke nisur nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime për vepra penale të lehta.
Ministri i Drejtësisë theksoi se amnistia ka si qëllim uljen e mbipopullimit në burgje dhe fokusimin e sistemit të drejtësisë në rastet me rrezikshmëri reale shoqërore, duke respektuar standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Lamallari u shpreh se pret që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të nisin sa më shpejt. Ai theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Projektligji i amnistisë pritet të depozitohet në Kuvend, ku do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare.