Galeria FAB ka hapur mbrëmë ekspozitën “Midis formës dhe shpirtit”, një homazh kushtuar krijimtarisë së artistit të ndjerë Kristi Baba.
Kristi Baba, i cili u nda nga jeta në moshën 30-vjeçare në vitin 2021 si pasojë e COVID-19, njihej për ciklet e tij grafike dhe përdorimin e teknikave mikse, ku ndërthurte figurën njerëzore me elemente sureale.
Gjatë karrierës së tij, një nga ekspozitat më të rëndësishme ishte “Sunduku” (The Coffer), e prezantuar në Muzeun Historik Kombëtar.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë familjarë, miq dhe dashamirës të piktorit, si dhe artistë e kolegë që e kanë vlerësuar veprën e tij si në jetë ashtu edhe pas ndarjes nga jeta.
Kuratorë të kësaj ekspozite janë Ardian Isufi dhe pedagogu e artisti i njohur Zef Paci, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 13 prill.
Në tekstin kuratorial, Ardian Isufi shkruan: “Krijimtaria e artistit Kristi Baba shfaqet si një territor i ndjeshëm ku jeta dhe arti ndërthuren në mënyrë fluide, duke krijuar një gjuhë pamore që buron nga përvoja e drejtpërdrejtë dhe reflektimi i brendshëm”.
Trashëgimia artistike e Kristi Babës paraqitet me një intensitet të veçantë, si një seri fragmentesh të një kërkimi më të gjerë për të kuptuar realitetin përmes ndjesisë dhe mendimit.
Sipas kuratorit Ardian Isufi, Kristi ishte një ëndërrtar, duke u referuar edhe vargut të Edgar Allan Poe: “Gjithçka që shohim apo duket se jemi, është veçse një ëndërr brenda një ëndrre”.
Veprat e tij në këtë ekspozitë qëndrojnë në një ekuilibër mes reales dhe imagjinatës, duke i lënë publikut hapësirë për interpretim dhe përjetim personal. /Telegrafi/