Kryeministri i RMV-së, Hrisitjan Mickoski thotë se thellimi i Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara është mbështetje e fortë dhe hap perspektiva të reja ekonomike për vendin, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Pas Marrëveshjes së Partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar dhe mbylljes së Dialogut Pas-Monitorimit me Këshillin e Evropës pas 26 vitesh, mbrëmë vonë Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë të përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë mbi Tregtinë Reciproke.
Kjo deklaratë përfaqëson një sinjal të qartë për thellimin e partneritetit strategjik dhe konfirmim të mbështetjes së fortë që Maqedonia gëzon nga Shtetet e Bashkuara. Ajo hap rrugën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të ofrojë tarifa jo më të larta se 15%, dhe për produkte dhe industri të caktuara deri në 0%, duke hapur mundësi të reja për eksporte, investime dhe rritje ekonomike.
Me hapa të tillë, ne po forcojmë pozicionin e Maqedonisë si një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm, duke ndërtuar një ekonomi me një standard më të lartë dhe duke përmirësuar pozicionin tonë ndërkombëtar”, shkruan Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Ai shton se kjo është një politikë me rezultate konkrete, me një vizion të qartë dhe mbështetje të qëndrueshme nga aleatët tanë strategjikë./Telegrafi/