Sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është mbajtur seancë për pyetje të deputetëve, ndërsa nuk kaloi pa u përmendur edhe tema për kthimin e Artan Grubit. Edhe pse pritej që përgjigje për këtë të kërkonte opozita, megjithatë Lupço Prenxhov nga radhët e OBRM-PDUKM-së i parashtroi pyetje kryeministrit Mickoski nëse është e vërtetë ajo që akuzon LSDM-ja opozitare se ka pasur marrëveshje mes tij dhe BDI-së që Artan Grubi fillimisht të lihej të arratisej, e më pas të kthehej.
Mickoski u përgjigj se për këtë nuk ka asnjë logjikë, pasi ai në të kaluarën ka qenë vazhdimisht cak i Artan Grubit, dhe se të shqetësuar për këtë tani është LSDM-ja. Ai madje LSDM-në e cilësoi si “mace” ndërsa partinë e tij si “luanë”.
“I arratisuri është siguruar nga organet e drejtësisë. Gjithçka më pas është vendim i pushtetit gjyqësor dhe nuk ka fare lidhje me qeverinë. Por e çuditshme është vetëdija. Tani ata mendohen se çfarë di ky. Mund të zgjerohet vepra, nga Lotaria të shkojë në shëndetësi, ose me kanabisin. Tani rrinë dhe mendojnë dhe ndërgjegjja u punon. Pasi nuk e kanë më Ljupço Kocevskin, tani do të kemi prokuror të ri të pavarur”.
“Ndërsa atyre që ndërgjegjja u punon, janë të shqetësuar, flenë vështirë, janë nervozë, kjo shihet nga shprehjet e fytyrës në konferencat për shtyp, shqetësimi e bën të vetën, tani thonë po vjen fundi. Dhe kur vjen fundi ata përpiqen si mace të të hidhen në sy, por kanë harruar se ne jemi luanë. Dhe të tillët si ata do të përgjigjen”, tha Hristijan Mickoski.