Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë bërë të ditur se sot më 10.02.2026, në ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë, por në dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet mësim, pasi do të mbahet protestë.
Shkolla njofton tutje se procesi mësimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt, ndërkaq ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë procesin edukativo-arsimor normalisht, sipas orarit të paraparë.
“Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve. Këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në njoftim.
Shkolla tutje thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla.
“Përmes kësaj proteste synojmë të ngrisim zërin kundër këtij fenomeni dhe të kërkojmë angazhim serioz institucional dhe shoqëror për ta parandaluar dhe trajtuar me përgjegjësi”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
SBASHK ka shprehur shqetësimin e thellë për sulmin fizik ndaj një mësimdhënësi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, si dhe për rastet e përsëritura të ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënësit dhe në disa raste, nga prindërit.
SBASHK thekson se këto incidente nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, pasi dhuna dhe mosrespektimi ndaj mësimdhënësve cenojnë rëndë dinjitetin e profesionit dhe sigurinë e procesit edukativo-arsimor.
Si mbështetje për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete nga institucionet përkatëse, SBASHK përkrahu grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, që do të zhvillohet më 10 shkurt 2026. /Telegrafi/