Ish-sulmuesi i Anglisë, Alan Shearer ka kritikuar sjelljen e Cristiano Ronaldos, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme për nivelin dhe statusin e tij.
Më herët, sulmuesi portugez mungoi në ndeshjen e kampionatit ndaj Al-Riyadh, të cilën skuadra e tij e fitoi 1-0. Po ashtu, u raportua se ai nuk mori pjesë as në stërvitje pas kësaj përballjeje.
Para kësaj, u bë e ditur se Ronaldo është i pakënaqur me mënyrën se si Fondi Sovran i Arabisë Saudite (PIF) po e menaxhon klubin e tij, krahasuar me rivalët, veçanërisht Al-Hilal. Gjithashtu, kishte raportime se portugezi ishte kundër transferimit të Karim Benzemas te Al-Hilal, duke e konsideruar atë si “dëm për konkurrencën”.
Për zhvillimet në Ligën Saudite ka reaguar edhe Shearer, i cili kritikoi Ronaldon që paguhet tepër dhe vendosë të hyjë në “grevë”.
“Jo shumë njerëz fitojnë më shumë se 400 mijë euro në ditë dhe vendosin të hyjnë në grevë. Duhet të jetë bukur të thuash se nuk do të shkosh në punë, pavarësisht parave që fiton”.
“Kur e mendon mirë, kjo duket e çuditshme. Ai është një superyll, por një grevë në atë nivel duket keq”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Ronaldo ka refuzuar të luajë edhe ndaj Al Ittihad, kurse nuk dihet për sa kohë do ta vazhdojë këtë qëndrim./Telegrafi