Modelet e Inteligjencës Artificiale nuk japin gjithmonë përgjigje të sakta dhe mund të ndryshojnë varësisht nga vendi prej nga bëhet pyetja.
Kështu u shpreh Hyrije Mehmeti, hulumtuese në Hibrid.info, gjatë diskutimit në “Përballje Podcast”, ku prezantoi gjetjet e raportit “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”.
Sipas saj, në kuadër të raportit janë analizuar tre modele të mëdha chatbot-ësh, duke u bërë 100 pyetje për secilin model mbi tema që lidhen me Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe çështje globale.
“Të dhënat tregojnë që botët jo gjithmonë japin përgjigje të saktë. Shpesh përfshijnë elemente që mund ta çorientojnë lexuesin”, tha Mehmeti.
Një nga gjetjet më domethënëse ishte se e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme të rajonit, ka kthyer përgjigje të ndryshme nga i njëjti model.
“Rezulton që e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, kthen përgjigje të ndryshme nga i njëjti model”, theksoi ajo.
Mehmeti paralajmëroi se ekziston rreziku që qytetarët ta trajtojnë Inteligjencën Artificiale si burim primar informacioni, pa verifikim shtesë.
Ajo nënvizoi se edukimi medial dhe dixhital është thelbësor, ndërsa mediat duhet të jenë transparente kur përdorin përmbajtje të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
– YouTube www.youtube.com
“Pavarësisht nëse një media e shpërndan një lajm të rremë duke përdorur inteligjencë artificiale, përgjegjësia nuk largohet”, deklaroi Mehmeti. /Telegrafi/.