E lavdëruar për stilin pas vitesh kritikash, Meghan Markle u shfaq pa Harryn në një event të rëndësishëm në Los Anxhelos
Edhe Meghan Markle e përjetoi momentin kur u lavdërua më shumë sesa u kritikua. Arsyeja ishte paraqitja e saj e mbrëmshme në Los Anxhelos, ku stili i saj glamuroz u vlerësua gjerësisht nga publiku dhe komentuesit e modës.
Meghan mori pjesë në Percent Pledge Fundraising Gala, e mbajtur në studiot Paramount – një ngjarje që promovon barazinë ekonomike dhe mbështet bizneset në pronësi të komunitetit afro-amerikan. Kodi i veshjes ishte “black tie, dizajnerë të zinj”.
Dukesha e Sussex-it zgjodhi për këtë mbrëmje një fustan nga Harbison Studio, një model rozë-e-zi i frymëzuar nga glamuri i Hollivudit të vjetër. Bëhet fjalë për një fustan me prerje të drejtë dhe detaje të zeza në dekoltenë me formë zemre, një element që Meghan e ka ndër të preferuarit.
Ajo e kompletoi pamjen me një pelerinë të gjatë të zezë, bizhuteri elegante dhe një frizurë të sofistikuar të mbledhur, që i dha gjithë paraqitjes një finesë klasike. Megjithatë, vëmendje morën edhe sandalet, të cilat dukeshin paksa të vogla për këmbën e saj, në një moment u krijua përshtypja se këmba mund t’i rrëshqiste nga këpuca. Sidoqoftë, fustani ishte ai që “vodhi shfaqjen”, transmeton Telegrafi.
Meghan Markle ka qenë për vite me radhë objekt kritikash, që nga momenti kur në vitin 2017 u bë publike lidhja e saj me Prince Harry. Kritikat kanë qenë të ndryshme, nga pretendimet se nuk ishte e përshtatshme për familjen mbretërore britanike, deri te akuza të rënda, shpesh me tone raciste.
Princi Harry nuk ishte i pranishëm në këtë event, ndërsa mbrëmjen e drejtoi gazetarja e CNN-it Abby Phillip.
Iniciativa Percent Pledge u themelua në vitin 2020 nga Aurora James, me synimin që shitësit me pakicë të dedikojnë të paktën 15 për qind të hapësirës së tyre produkteve nga kompani në pronësi të komunitetit afro-amerikan.
Paraqitja e Meghan Markle vjen në një kohë kur familja mbretërore britanike po përballet me një tjetër skandal, i lidhur me të kaluarën e errët të Prince Andrew dhe lidhjet e tij me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein. /Telegrafi/