Në episodin e tetë të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë”, në “Përballje Podcast” i ftuar ishte ish-kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, i cili foli për transparencën e pronësisë, qëndrueshmërinë financiare dhe sfidat e mediave në Kosovë në raport me standardet evropiane.
Mehmeti theksoi se transparenca e pronësisë nuk është vetëm çështje teknike, por kriter thelbësor i demokracisë.
– YouTube www.youtube.com
“Nuk është vetëm çështje teknike pronësia apo transparenca e pronësisë së mediave, por realisht ndikon edhe në vetë cilësinë e demokracisë, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush qëndron mbrapa mediave, kush janë pronarët dhe si financohen”, tha Mehmeti.
Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të tij në KPM janë evidentuar rreth 35 raste ku pronësia e mediave të licencuara nuk përputhej me të dhënat në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, çka ka çuar në ndërmarrjen e masave konkrete, përfshirë hartimin e rregullores për transparencën e pronësisë dhe ndalimin e koncentrimit medial, si dhe krijimin e një databaze publike për mediat e licencuara.
Jeton Mehmeti dhe kryedaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova
Në kontekstin evropian, Mehmeti përmendi kërkesat e European Media Freedom Act, duke theksuar se në të ardhmen pritet të kërkohet deklarimi edhe i “pronarëve përfitues” dhe metodave tjera.
“Bashkimi Evropian i kushton shumë rëndësi jo vetëm pronarëve legjitimë, por edhe pronarëve përfitues, në mënyrë që të dihet rrethi më i gjerë që mund të ketë ndikim në vendimet redaksionale.”
Sa i përket stabilitetit financiar, Mehmeti tha se tregu medial në Kosovë është i fragmentuar dhe me të hyra të kufizuara.
“Kemi një situatë jo shumë të mirë të qëndrueshmërisë së mediave në vendin tonë… mediat lokale, sidomos radio dhe televizionet lokale, kanë një buxhet tepër modest”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se varësia nga reklamat lokale (komunale) apo nga burime të kufizuara financimi mund të ndikojë në pavarësinë editoriale, ndërsa konkurrenca me rrjetet sociale e ka ngushtuar edhe më shumë tregun tradicional të reklamave.
Një nga propozimet kryesore të tij ishte krijimi i një fondi për pluralizëm medial.
“Të hyrat që KPM-ja i inkason në baza vjetore t’u kthehen përsëri mediave, por në formë projektesh, përmes garës dhe konkurrimit.”
Sipas tij, ky fond do të mund të mbështeste mediat lokale, ato nacionale dhe mediat e reja, duke forcuar pluralizmin dhe pavarësinë.
Në fund, Mehmeti theksoi rolin thelbësor të mediave në demokraci.
“Një industri mediale e fuqishme dhe e qëndrueshme financiarisht është një industri që ndihmon në nivelin e demokracisë në vendin tonë… mediat janë zë i qytetarëve dhe duhet të jenë nën vëzhgim të gjitha institucionet publike.”
Episodi trajton gjithashtu ndikimin e inteligjencës artificiale, nevojën për përafrim me direktivat e BE-së dhe domosdoshmërinë e vullnetit politik për të krijuar politika të qëndrueshme që mbështesin median si shtyllë të demokracisë.
Ky është episodi i tetë i serisë “Përballje Podcast” (“Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë”), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/.