Kuvendi Komunal i Prishtinës ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të diskutohet dhe të votohet propozim-vendimi për miratimin e buxhetit të Komunës për vitin 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të Komunës së Prishtinës, seanca do të mbahet sot, më 6 shkurt 2026, duke filluar nga ora 10:00, në sallën e madhe të mbledhjeve në objektin e vjetër të komunës.
Mbledhja është thirrur me iniciativë të kryesuesit të Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.
Pika e vetme e rendit të ditës në këtë seancë të jashtëzakonshme është shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit komunal për vitin 2026, dokument kyç për funksionimin financiar dhe realizimin e projekteve të planifikuara nga Komuna e Prishtinës.
Kjo seancë po mbahet në një periudhë kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende nuk e ka bërë publik përbërjen zyrtare të kabinetit të tij qeverisës, çështje që ka nxitur interesim shtesë rreth zhvillimeve politike dhe institucionale në kryeqytet. /Telegrafi/