Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI199/25, të parashtruar nga Hysen Shehu, përmes të cilit është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore në lidhje me një kontest civil për pronësi.
Gjykata, njëzëri, e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës së Kosovës, që garanton të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që garanton të drejtën për një proces të rregullt.
“Gjykata konstatoi se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim brenda një afati kohor të arsyeshëm”, thuhet në aktgjykim.
Rasti lidhet me një padi të dorëzuar nga Shehu më 25 shkurt 1987 në Gjykatën Komunale të Gjakova kundër ish-Kombinatit Bujqësor, trashëgimtare juridike e të cilit është KBI Ereniku, për vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi një pronë të kontestuar.
Sipas pretendimeve të parashtruesit, prona i përkiste babait të tij të ndjerë dhe tjetërsimi i saj në vitin 1964 nga gjyshja e tij, në kohën kur ai ishte i mitur, ishte absolutisht i pavlefshëm.
Pas disa vendimeve dhe kthimeve të lëndës në rigjykim, Gjykata Komunale në Gjakovë më 24 korrik 2012 kishte konstatuar se nuk kishte juridiksion për këtë çështje dhe e kishte dërguar atë në Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Megjithatë, veprimet procedurale për zgjidhjen e rastit janë ndërmarrë vetëm në vitin 2025, kur Dhoma e Posaçme lëshoi një urdhër për rregullimin e padisë, duke konfirmuar se deri në atë kohë nuk ishte marrë ende një vendim meritor për këtë çështje.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se procedurat kanë zgjatur jashtë çdo afati të arsyeshëm dhe se përgjegjësia kryesore për këtë zvarritje i takon institucioneve gjyqësore.
“Shkaku kryesor i procedurave juridike të tejzgjatura në këtë rast ishte veprimi i ngadaltë dhe joefikas i gjykatave të rregullta, të cilat nuk kishin ndërmarrë masa adekuate për të zgjidhur çështjen brenda një afati të arsyeshëm”, theksohet në vendim.
Si rezultat, Gjykata ka urdhëruar që pas publikimit të aktgjykimit, gjykatat e rregullta të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për përmbylljen e çështjes me prioritet dhe brenda një afati sa më të shpejtë kohor, në përputhje me gjetjet e saj. /Telegrafi/