Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për aktivitetin njëjavor, duke bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë realizuar një sërë shërbimesh mjekësore dhe janë regjistruar lindje të reja.
Sipas njoftimit, gjatë javës së kaluar kanë lindur gjithsej 26 foshnje, prej tyre 14 vajza dhe 12 djem, përfshirë edhe ditën e hënë që ka qenë festë zyrtare.
Në të njëjtën periudhë janë kryer 3,117 vizita specialistike dhe janë regjistruar 276 pranime të reja në spital, ndërsa mesatarisht kanë qenë të shtrirë 198 pacientë në ditë.
Sa i përket shërbimeve diagnostikuese dhe laboratorike, 1,734 pacientë kanë kryer gjithsej 241,381 analiza, ndërsa janë realizuar 7,924 incizime me rëntgen, 399 ultrazëra, 91 rezonanca magnetike dhe 10 mamografi.
Gjatë javës janë kryer edhe 79 operacione, 265 dializa, si dhe një sërë ekzaminimesh të tjera, përfshirë 42 ehokardiografi, 13 ergometri, 17 gastroskopi dhe 12 kolonoskopi.
Po ashtu, në këtë periudhë janë ofruar edhe 238 shërbime fiziatrike për pacientët.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë është theksuar se shërbimet janë ofruar në vazhdimësi, duke garantuar trajtim për pacientët në të gjitha repartet. /Telegrafi/