Abelard Tahiri, i cili për tri mandate ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si dhe ish-shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie, nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet i legjislaturës së ardhshme në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Tahiri ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar qytetarët që e kanë mbështetur, pavarësisht se nuk ka arritur të fitojë një mandat të ri deputeti.
“Edhe pse votat nuk mjaftuan për të siguruar edhe një mandat si deputet, mbështetja juaj është një përgjegjësi e madhe për mua. Do të vazhdoj të jem zëri juaj brenda strukturave të PDK-së dhe të angazhohem me përkushtim për të dhënë më të mirën që di, gjithmonë në shërbim të vendit tim dhe interesit qytetar”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka theksuar se mbështetja e marrë e obligon të vazhdojë angazhimin politik. “Besimi juaj më obligon të mos ndalem”, ka shtuar ai.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Tahiri ka marrë 16.767 vota, numër i pamjaftueshëm për të siguruar një nga 23 ulëset që PDK-ja ka fituar në Kuvend.
Sipas rezultateve përfundimtare, duke përfshirë edhe votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 23 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 14 mandate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 mandate, ndërsa komunitetet joshumicë 20 ulëse.
Në zgjedhjet e rregullta të mbajtura në shkurt të vitit 2025, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë 42.30 për qind të votave apo 48 deputetë, PDK 20.95 për qind apo 24 deputetë, LDK 18.27 për qind apo 20 deputetë, ndërsa koalicioni AAK–NISMA 7.06 për qind apo 8 deputetë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 45.03 për qind, apo 900 mijë e 330 votues nga gjithsej 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë të regjistruar në Listën Votuese.
Procesi zgjedhor brenda vendit është zhvilluar në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Votimi jashtë Kosovës është organizuar më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike, përfshirë 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të ndryshme, ku të drejtë vote kanë pasur 19.187 votues të regjistruar.