Pas dorëheqjes së Haxhi Avdylit, një tjetër anëtar i Partisë GUXO ka vendosur të tërhiqet nga aktiviteti politik në këtë subjekt. Bëhet fjalë për anëtarin e kryesisë, Kujtim Hajdaj i cili ka njoftuar sot vendimin e tij përmes një postimi publik në rrjetin social.
Hajdaj ka theksuar se arsye kryesore për këtë vendim është mbështetja e tij për Vjosa Osmani si Presidente, si dhe disa rrethana të tjera brenda udhëheqjes së partisë.
“Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmani për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana tjera që m’u janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, që nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO, si anëtarë i kryesisë qendrore dhe si kordinator i saj jashtë Kosovës”, ka shkruar Hajdaj.
Ai gjithashtu falënderoi të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar gjatë rrugëtimit politik dhe u shpreh se do të ruaj kujtimet më të mira.
“Sigurisht, unë do i mbaj dhe ruaj kujtimet më të mira të atij rrugëtimi politik, sepse përgjatë krejt asaj periudhe kohore, prej daljes në skenë politike të Listës ‘Vjosa’ kam hasur dhe bashkëpunuar pastër dhe ndërgjegjshëm me shumë njerëz të mirë, patriot dhe patriote, që e donë popullin dhe shtetin tonë sovran, Republikën e Kosovës”, u shpreh Hajdaj.
Në fund, Hajdaj theksoi rëndësinë e Kosovës mbi çdo interes politik personal.
“Pa marrë parasysh, se çfarë të papritura mund të na krijojë jeta politike, një gjë mbetët e sigurtë: Kosova mbetet mbi të gjithë ne, dhe ajo është gjaku dhe sakrifica e shumë dëshmorëve dhe heronjve tanë të rënë për liri, pavarësi dhe demokraci që s’i falet askujt”, shkroi ai.
Kjo dorëheqje vjen pas asaj të Haxhi Avdylit dhe tregon një lëvizje të brendshme brenda Partisë GUXO në këtë periudhë politike, veçanërisht lidhur me mbështetjen për presidenten Vjosa Osmani. /Telegrafi/