Juventus është detyruar të finalizojë transferimin e përhershëm të Lois Openda, duke paguar rreth 43 milionë euro për kartonin e tij, si dhe 3 milionë euro shtesë për huazimin fillestar nga RB Leipzig.
Marrëveshja, e arritur në ditën e fundit të afatit kalimtar dimëror, përfshinte një klauzolë që praktikisht detyronte klubin torinez ta bënte transferimin të përhershëm në fund të sezonit.
Sipas kësaj klauzole, Juventusi ishte i obliguar ta blinte sulmuesin belg nëse përfundonte brenda 10 vendeve të para në Serie A.
Pas rezultateve të fundit, përfshirë fitoren ndaj Atalantës dhe zhvillimet në ndeshjet tjera, është bërë matematikisht e pamundur që Juventusi të zbresë nën vendin e dhjetë, duke aktivizuar kështu automatikisht blerjen e Opendas.
Megjithatë, sulmuesi nuk ka arritur të lërë gjurmë të madhe këtë sezon. Ai ka nisur vetëm nëntë ndeshje dhe nuk është aktivizuar në pesë të fundit.
Në total, Openda ka realizuar vetëm dy gola – një në Ligën e Kampionëve ndaj Bodo/Glimt dhe një tjetër kundër Romës në fund të vitit 2025.
Pavarësisht formës jo bindëse, ai mbetet pjesë e Kombëtares së Belgjikës, edhe pse nuk ka shënuar që nga tetori i vitit 2024.
Sipas mediave italiane, Juventusi synon ta shesë lojtarin gjatë verës, por kontrata e tij deri në vitin 2030 dhe paga prej rreth 4 milionë eurosh në sezon e bëjnë të vështirë një largim të lehtë nga Torino. /Telegrafi/