Kancelari gjerman, Friedrich Merz, është shprehur “thellësisht i indinjuar” për vizitën e ish-kancelarit Gerhard Schroeder në rezidencën e presidentit rus, Vladimir Putin, për të festuar ditëlindjen e këtij të fundit, ka bërë të ditur të premten një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Schroeder, i cili drejtoi qeverinë gjermane nga viti 1998 deri më 2005, është kritikuar vazhdimisht në Gjermani dhe jashtë saj për lidhjet e ngushta me bizneset ruse dhe me Putinin. Këto lidhje kanë vazhduar edhe pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe vendosjes së disa valëve të sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
“Putini është i vetmi përgjegjës për luftën në Ukrainë. Urdhrat e tij janë shkaku i vuajtjeve të pallogaritshme, viktimave civile, familjeve të ndara, të vrarëve dhe të plagosurve”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Ai shtoi se Merz e konsideron “krejtësisht të pamoralshme” pjesëmarrjen e Schroederit në një festë të tillë, transmeton Telegrafi.
Putini mbushi 74 vjeç të enjten. Schroeder, 82 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, So-Yeon Schroeder-Kim, e cila herë pas here merret me komunikimin e tij publik, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të Reuters për koment.
Vizita shkaktoi reagime edhe brenda Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), së cilës i përket Schroederi. Bashkëkryetari i partisë, Lars Klingbeil, i cili njëkohësisht është ministër i Financave në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga konservatorët e Merzit, e cilësoi veprimin “plotësisht të papranueshëm”, duke pasur parasysh vuajtjet që lufta i ka shkaktuar popullit ukrainas, raportoi gazeta Süddeutsche Zeitung.
Gjatë dy dekadave të fundit, Schroeder është emëruar në disa pozita të larta në kompani ruse. Pak pas largimit nga detyra e kancelarit, ai u bë kryetar i komitetit të aksionarëve të Nord Stream, projektit të gazsjellësit në Detin Baltik, të udhëhequr nga Gazprom, të cilin e kishte mbështetur gjatë kohës në pushtet. Më vonë, ai mbajti edhe pozita të larta në kompaninë ruse të naftës Rosneft.
Në fillim të këtij viti, Putini deklaroi se Schroeder do të ishte personi i tij i preferuar për të zhvilluar bisedime mbi marrëveshje të reja të sigurisë në Evropë. Propozimi u refuzua menjëherë nga Bashkimi Evropian dhe qeveria e Merzit.
Javën e kaluar, Schroeder iu bashkua bordit mbikëqyrës të zinxhirit rus të shitjes me pakicë Hyperglobus, një kompani e shkëputur nga grupi gjerman Globus Holding, e cila operon më shumë se 20 supermarkete në Rusi. /Telegrafi/