Drejtoria e Antikontrabandës, në bashkëpunim me degën doganore Durrës, ka goditur këtë të enjte një rast të cenimit të pronësisë intelektuale, duke bllokuar një sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të falsifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar, janë konstatuar mbi 103 mijë palë veshje të ndryshme që mbanin marka të njohura ndërkombëtare si Adidas, Nike, Gucci, Dior, Hugo Boss dhe Calvin Klein, si edhe bluza sportive të ekipeve të njohura evropiane.
Mallrat u zbuluan gjatë kontrolleve të imtësishme të ushtruara nga strukturat përgjegjëse, të cilat evidentuan dyshime për shkelje të të drejtave të markave tregtare dhe të pronësisë intelektuale, raporton euronews.al.
Autoritetet doganore kanë bërë bllokimin e menjëhershëm të mallit, ndërsa kanë nisur edhe procedurat përkatëse ligjore për verifikimin dhe ndjekjen e mëtejshme të rastit.