Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka dëshmuar në gjyqin e një ish-kongresisti të akuzuar për lobim në emër të qeverisë së Venezuelës, duke u bërë anëtari i parë në detyrë i kabinetit që del në bankën e të akuzuarve në një gjyq penal që nga viti 1983.
Prokurorët thonë se ish-kongresisti nga Miami, David Rivera, punoi ilegalisht në emër të qeverisë së Nicolás Maduros për të ndikuar në administratën e parë Trump me shpresën e lehtësimit të sanksioneve.
Rivera dhe një bashkëpunëtore e tij, Esther Nuhfer, u paditën në vitin 2022 për akuzat e pastrimit të parave dhe për mosregjistrimin në qeverinë amerikane si agjent i huaj.
Ai ka mohuar çdo shkelje në këtë rast dhe Rubio nuk është akuzuar për asnjë shkelje, transmeton Telegrafi.
Sipas prokurorëve federalë në Florida, Rivera dhe Nuhfer morën një kontratë prej 50 milionë dollarësh për tre muaj punë në emër të një dege me seli në SHBA të firmës shtetërore të naftës venezuelase PDVSA, e cila njihet edhe si Citgo.
Aktakuza pretendon se, me urdhër të qeverisë venezuelase, dyshja u përpoq të lobonte te Rubio – atëherë ende senator dhe ish-bashkëbanues i Rivera-s – si dhe te Kellyanne Conway, një ish-këshilltare e shquar e Shtëpisë së Bardhë.
“Çështja ka të bëjë me dy gjëra: lakmi dhe tradhti”, tha prokurori Roger Cruz gjatë deklaratave hapëse.
“Provat do të tregojnë se për 50 milionë dollarë, këta dy të pandehur bënë një pakt për të lobuar fshehurazi për Nicolás Maduro, diktatorin komunist, dhe zëvendësen e tij në komandë, Delcy Rodriguez”, u tha ndër tjera.
Rodriguez u bë president i përkohshëm i Venezuelës pas kapjes së Maduro-s nga forcat amerikane në janar të këtij viti.
Ndërsa Rivera dhe Nuhfer nuk arritën të siguronin një takim me Conway, ata dyshohet se organizuan dy takime të ndara me Rubio-n, me të cilin Rivera shërbeu në legjislaturën shtetërore të Floridës.
Rubio mbërriti në gjykatë të martën në mëngjes dhe shkaktoi të qeshura nga të pranishmit kur u pyet nga një prokuror nëse ishte i punësuar.
“Kam dy punë”, u përgjigj Rubio. “Unë jam sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara dhe këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit”, shtoi ai.
Ndërsa Rubio ka pranuar një miqësi me Riverën, ai ka mohuar çdo përfshirje në skemë.
“Ai është dikush që e njoh prej kohësh”, tha Rubio për CBS news në një intervistë para gjyqit.
“Ne kemi punuar ngushtë së bashku, por jo për këtë, dhe nuk ka asnjë person që pretendon të kundërtën”, shtoi ai. /Telegrafi/