Fitorja e Mallorcas kundër Real Madridit nuk do të mbahet mend vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën se si ndodhi, shkruan Marca.
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi shënoi golin e fitores në sekondat e fundit, por momenti që la mbresa më të thella ishte reagimi i tij emocional pas golit: ai qau para tifozëve në stadiumin Son Moix, duke çliruar dhimbjen dhe stresin që kishte grumbulluar gjatë javëve të fundit.
Lotët e tij ishin një moment çlirmi, ndërsa stadiumi shpërtheu në delir dhe brohoriti emrin e tij, shkruan mediumi i njohur spanjoll.
Ky moment erdhi pas një periudhe të vështirë për Muriqin. Penalltia e humbur kundër Elches e kishte lënë ekipin në zonën e rënies nga kategoria dhe ëndrra e tij për të luajtur në një Kupë Bote me Kosovën ishte shuar pas ndeshjes kundër Turqisë.
Por goli spektakolar ndaj Real Madridit jo vetëm që ngriti Mallorkën nga vendi i fundit, por edhe riktheu besimin dhe shpresën për mbijetesën në La Liga.
Trajneri argjentinas i Mallorcas, Demichelis, lavdëroi sulmuesin pas ndeshjes, duke vënë në dukje karakterin dhe forcën e tij.
“Muriqi po vuan, por është një luftëtar. Historia e tij që nga fëmijëria tregon se ai di të përballojë presionin dhe vështirësitë. Pas penalltisë kundër Elches, ai u rikuperua shpejt dhe performanca e tij ishte e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Presioni
Muriqi ka kaluar një fëmijëri shumë të vështirë në Prizren, Kosovë, pak para shpërthimit të Luftës së Kosovës, kujton Marca.
Ai e njohu urinë dhe dhimbjen, duke filluar të luante futboll që në moshën pesëvjeçare. Në moshën 15-vjeçare, la shkollën për të punuar dhe për të luajtur futboll, ndërsa dy vjet më vonë nisi karrierën e tij profesionale në Turqi, duke i dhënë hov të vërtetë karrierës së tij.
Pas golit ndaj Real Madridit, Muriqi u shpreh i emocionuar: “Edhe pse nga jashtë mund të dukem i ashpër dhe i shëmtuar, unë jam gjithashtu njeri dhe ndonjëherë emocionet dhe nervat më mposhtin”.
Ky moment tregon se edhe luftëtarët më të fortë kanë të drejtë të qajnë dhe se lotët e tyre nuk vlejnë vetëm për ndjenjat, por edhe për triumfin e arritur. /Telegrafi/