Lionel Messi po planifikon tashmë një rikthim të mundshëm në Barcelonë në të ardhmen, edhe pse ende nuk është përcaktuar asnjë afat kohor konkret, raporton “Marca”.
Sipas mediumit spanjoll, ylli argjentinas e ka bërë të qartë dëshirën e tij për t’u rikthyer në klubin katalanas në një moment të caktuar, por një kthim i tillë nuk do të lidhet me zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Barcelonës, duke hedhur poshtë spekulimet se rikthimi i tij do të përdorej si kartë politike.
Aktualisht, Messi është plotësisht i përqendruar te Inter Miami dhe po përgatitet për atë që pritet të jetë Kupa e fundit e Botës në karrierën e tij, çka ka bërë që çdo hap konkret drejt Barcelonës të shtyhet për më vonë.
Vizita e tij e fundit në “Camp Nou” ka rindezur menjëherë spekulimet mes tifozëve dhe mediave, megjithatë ende nuk ka qartësi se çfarë roli do të kishte Messi në rast të një rikthimi, nëse do të ishte si lojtar, ambasador apo pjesë e strukturave të klubit.
Messi la pas një trashëgimi të pakrahasueshme në Barcelonë, duke realizuar 672 gola dhe dhuruar 303 asistime në 778 paraqitje zyrtare me fanellën blaugrana.
Gjatë asaj periudhe, ai fitoi 35 trofe me klubin, përfshirë 10 tituj në La Liga dhe katër trofe të Ligës së Kampionëve, duke e vulosur përfundimisht statusin e tij si lojtari më i madh në historinë e Barcelonës./Telegrafi