Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë është në fund të mandatit të tij 5 vjeçar. Por ftohja e raporteve mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryemistrit Albin Kurti, ka vënë në pikëpyetje hapat tutje, nëse Petrit Ajeti do të vazhdojë detyrën e tij ose nëse do të ketë një emër të ri në vend të Ajetit. Përderisa presidenca e kryeministria nuk kanë dashur të flasin për këtë temë, kryetari i komisionit për mbikqyrjen e AKI-së dhe ekspertë të çështjeve të sigurisë, situatën e konsiderojnë si shqetësuese.
Petrit Ajeti, në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, u emërua më 15 prill të 2021.
Emërimi i tij në këtë pozitë, siç edhe parashihet me ligjin për këtë institucion, ishte bërë së bashku nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Por mandati 5 vjeçar i Ajeti, po shkon drejt fundi.
Sipas legjislacionit, mandati mund t’i vazhdohet edhe njëherë, ose duhet që “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Në lidhje me këtë çështje, për disa ditë nuk janë përgjigjur nga zyra e presidentës së Kosovës, e as nga zyra e kryeministrit.
Dhe raportet e përkeqësuara ndërmjet Osmanit e Kurtit, sipas kryetarit të komisionit për mbikqyrjen e AKI-së, deputetit të LDK-së Anton Quni, mund të ndikojnë për të keq në këtë proces.
“Sipas ligjit, Drejtori i AKI-së emërohet (dhe shkarkohet) përmes një vendimi të përbashkët të Presidentes dhe Kryeministrit. Çdo mospajtim i mundshëm mes këtyre dy figurave mund të çojë në bllokadë ose në lënien e institucionit me ushtrues detyre, gjë që në aspektin e sigurisë nuk është asnjëherë ideale. Raportet e acaruara ndërmjet dy krerëve të shtetit—Presidentes dhe Kryeministrit—prodhojnë një ngërç të drejtpërdrejtë institucional në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Kjo ndodh sepse ligji e ka dizajnuar këtë proces si një bashkëveprim të detyrueshëm mes tyre. Kur raportet janë të acaruara, ekziston rreziku që drejtori i AKI-së të shihet si “njeriu i njërës palë”. AKI duhet t’u raportojë të dyve. Nëse Presidentja dhe Kryeministri nuk i besojnë njëri-tjetrit, ata fillojnë të dyshojnë edhe në informacionet që vijnë nga AKI, duke u frikësuar se agjencia po përdoret si mjet politik. Tensionet mund të çojnë në hezitim të Drejtorit për të marrë vendime të rëndësishme, nga frika e hakmarrjes politike prej njërës apo tjetrës palë. Pavarësia e AKI-së është jetike. Sa më shumë që procesi i përzgjedhjes të kthehet në “pazar” mes Presidencës dhe Kryeministrisë, aq më shumë zbehet integriteti i këtij institucioni. Situata aktuale politike dhe ajo e sigurisë (sidomos tensionet gjeopolitike në rajon) luajnë rol vendimtar.”
Të njëjtën e thotë edhe njohësi i sigurisë Fadil Kajtazi, i cili shton se duhet të arrihet një kompromis që kjo pozitë të mos mbetet pa drejtues.
“Ai një kohë mund të funksionojë besoj që është e paraprë që mund të funksionojë edhe pa drejtorin mirëpo efikasiteti i punës nuk është ai që bëhet kur është i emëruar drejtori, besoj që nuk do ketë vakum ku me dit se sa besoj se krerët e shtetit duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka ky institucion dhe ta bëjnë një kompromis për zgjedhjen e drejtorit të ri por gjasat janë të vogla nga teket nga inatet nga privitimizmi që krerët tanë politik po manifestojnë”, ka deklaruar Fadil Kajtazi – Njohës i sigurisë.
Osmani e Kurti së bashku kishin emëruar edhe zëvendësdrejtorin e AKI-së Agon Bytyqin, në korrik të 2021. E në dhjetor të vitit 2022, presidentja dhe kryeministri emëruan Kujtim Shalën për inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së./Tv Dukagjini
– YouTube youtu.be