Manchester United ka vendosur të forcojë repartin defensiv në prag të afatit kalimtar së verës dhe një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen është Pierre Kalulu.
Mbrojtësi francez po zhvillon një sezon shumë të mirë me Juventusin dhe paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në Ligën Premier.
Sipas mediave italiane, përfaqësues të klubit anglez do ta ndjekin nga afër në sfidën ndaj Interit.
Që prej transferimit nga Milani verën e kaluar, Kalulu ka bërë një hap të madh përpara në karrierë.
Ai është shndërruar në titullar të padiskutueshëm te Juventusi, duke mos humbur asnjë minutë nën drejtimin e trajnerëve Igor Tudor dhe më pas Luciano Spalletti.
Drejtuesit e Juventusit e konsiderojnë aktualisht të paprekshëm në afate kalimtare, por interesimi nga Anglia shton presionin.
“Zonja e Vjetër” ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës deri në vitin 2030, duke parashikuar edhe një rritje page nga 2.4 në 3.5 milionë euro në sezon.
Qëllimi është i qartë, të blindojnë një nga elementët më të rëndësishëm të projektit afatgjatë.
Nga ana tjetër, Manchester United është në fazë rindërtimi dhe kërkon stabilitet në mbrojtje.
Kalulu përputhet me profilin që kërkojnë “Djajtë e Kuq”, i ri në moshë, me eksperiencë europiane dhe me potencial për rritje të mëtejshme.
Liga Premier mbetet një destinacion shumë joshës për çdo futbollist, si për nivelin konkurrues ashtu edhe për aspektin financiar.
E ardhmja e 24-vjeçarit pritet të jetë një nga temat e nxehta të verës.
Juventusi shpreson ta bindë me projektin sportiv dhe vazhdimësinë, ndërsa Man Utd mbetet në pritje për të bërë lëvizjen e duhur.
Për momentin, Kalulu mbetet një nga shtyllat e mbrojtjes në Torino, por emri i tij tashmë është në radarët e afateve kalimtare angleze. /Telegrafi/