Më shumë se 32 milionë njerëz në mbarë botën mund të zhyten në varfëri nga pasojat ekonomike të luftës në Iran, me vendet në zhvillim që pritet të goditen më rëndë.
Në një raport të lëshuar mes dyshimeve mbi një armëpushim të brishtë në Iran, Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) tha se bota po përballet me një “tronditje të trefishtë” që përfshin energjinë, ushqimin dhe rritjen më të dobët ekonomike.
Agjencia e ngarkuar me trajtimin e varfërisë tha se konflikti po përmbyste përparimet në zhvillimin ndërkombëtar, me ndikimin që pritet të ndihet në mënyrë të pabarabartë nëpër rajone, përcjell Telegrafi.
Alexander De Croo, administrator i UNDP-së dhe ish-kryeministër i Belgjikës, tha: “Një konflikt si ky është zhvillim në të kundërt. Edhe nëse lufta ndalet, dhe një armëpushim është padyshim shumë i mirëpritur. Por ndikimi tashmë ka ndodhur”.
“Do të shihni një ndikim të qëndrueshëm, veçanërisht në vendet më të varfra, ku i shtyni njerëzit përsëri në varfëri. Ky është elementi më zemërthyes. Njerëzit që shtyhen në varfëri janë shumë shpesh njerëzit që dikur ishin në varfëri, dolën prej saj dhe tani po shtyhen përsëri”.
Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm në gjashtë javët që nga sulmet e para ajrore SHBA-Izrael në Teheran, ndërsa mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani pengon furnizimet me naftë dhe gaz për ekonominë botërore.
Me një ndikim të madh në furnizimet me plehra dhe transportin global, ekspertët paralajmërojnë se një “bombë me sahat për sigurinë ushqimore” është vendosur për botën në zhvillim.
Edhe nëse një paqe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme mund të mbahet, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka thënë se “efektet shkatërruese” nga konflikti kanë dëmtuar përgjithmonë ekonominë globale.
Duke publikuar raportin e saj ndërsa udhëheqësit botërorë mblidhen në Uashington për takimet e pranverës të FMN-së, UNDP tha se një përgjigje globale ishte e nevojshme për të mbështetur vendet e goditura më rëndë nga pasojat ekonomike.
Duke përcaktuar tre skenarë për luftën, ai zbuloi se në rastin më të keq – që përfshin gjashtë javë ndërprerje të mëdha në prodhimin e naftës dhe gazit dhe tetë muaj kosto më të larta të vazhdueshme – deri në 32.5 milionë njerëz në nivel global do të binin në varfëri.
Raporti përdori vijën e varfërisë me të ardhura të mesme të larta, një standard ndërkombëtar i llogaritur nga Banka Botërore, i cili përkufizohet si të ardhura nën 8.30 dollarë për person në ditë. /Telegrafi/