Kosova ka hyrë në ditët kyçe të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, teksa afati i fundit 5 marsi po afrohet pa një marrëveshje politike deri më tani për emrin që do të marrë postin e kreut të shtetit.
Takimet ndërmjet liderëve politikë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë dështuar të sigurojnë konsensus, ndërsa palët vazhdojnë të debatojnë nëse do të ketë propozime konsensuale apo kandidat të veçantë nga secila parti.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin për mandatin e ri më së largu deri më 5 mars.
Presidentja e ka bërë të ditur synimin për një mandat shtesë, mirëpo votat e nevojshme duket se nuk i ka.
Me ditë u përfol mundësia që në krye të shtetit të jetë ndonjë pjesëtar i familjes së heroit Adem Jashari. Madje vetë kryeministri Kurti, theksoi se Murat Jashari do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur.
Por anëtarë të kësaj familjeje e kanë bërë të qartë për media se nuk kanë ambicie për këtë pozitë.
E në mungesë të një emri të dakorduar deri në afatin kushtetues, sipas Kushtetutës dhe procedurave parlamentare, vendi rrezikon të hyjë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, një zhvillim që do të hapë një kapitull të ri politik vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të fundit.
Telegrafi gjatë këtyre ditëve do të vazhdoj të ju mbajë të informuar për cdo zhvillim sa i përket këtij procesi.