Lojtari legjendar i NBA-së, Damian Lillard, fitoi për herë të tretë garën e trepikëshit në katër sezonet e fundit në NBA All Stars, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga gjuajtësit më të saktë në histori.
Në finalen e madhe ai mposhti Devin Booker me rezultat 29:27, në një përballje të fortë dhe me nivel të lartë realizimi nga të dy basketbollistët.
Me këtë triumf, Lillard iu bashkua dy emrave legjendarë të kësaj gare, Larry Bird dhe Craig Hodges, si lojtarët e vetëm në histori që kanë fituar tre herë konkursin e trepikëshit në All-Stars.
Ky sukses është veçanërisht domethënës për shkak të rrethanave personale të Lillard. Ai nuk ka luajtur në NBA që nga prilli i vitit të kaluar, kur pësoi një këputje të tendinit të Akilit, një nga lëndimet më serioze për një sportist profesionist.
Megjithatë, në fundjavën All-Star në Los Angeles, ai dëshmoi se saktësia dhe instinkti i tij për gjuajtje mbeten në nivelet më të larta. I veshur me fanellën e Portland Trail Blazers, Lillard realizoi 21 nga 27 gjuajtje në raundin final.
Në raundin e parë, Booker regjistroi rezultatin më të lartë me 30 pikë, duke shënuar nëntë nga dhjetë gjuajtjet e para. Lillard dhe Knueppel u kualifikuan në finale me nga 27 pikë secili, ndërsa Donovan Mitchell mbeti i pari nën vijën kualifikuese me 24 pikë, pavarësisht se edhe ai realizoi nëntë nga dhjetë tentimet e para.
– YouTube www.youtube.com
Norman Powell e përfundoi garën me 23 pikë, ndërsa Tyrese Maxey dhe Jamal Murray shënuan nga 17 pikë, kurse Bobby Portis 15, duke mbetur larg zonës së finales.
Nga konkurrentët e këtij edicioni, vetëm Lillard (2023, 2024) dhe Booker (2018) kishin fituar më parë këtë garë. Triumfi i radhës i Lillard përforcon edhe më shumë trashëgiminë e tij në këtë disiplinë, duke dëshmuar se ai mbetet një nga specialistët më të mëdhenj të trepikëshit në historinë e NBA-së. /Telegrafi/