Nga Koalicioni VLEN njoftojnë se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mori dritë jeshile në Qeveri dhe tani i ka mbetur vetëm edhe vula e Kuvendit.
“Pas mbi dy dekadash, me krenari mund të themi se më në fund jemi rrugës për të mbyllur edhe një çështje që ishte lënë përgjysmë. Ky është ligj historik. Ka peshë të madhe, sepse për herë të parë kjo kategori kushtetuese e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit sanksionohet me ligj. Ky është VLEN-i. Pak e nga pak çdo gjë e lënë pas dore do ta zgjidhim”, thonë nga VLEN.
Zv.kryeministri Bekim Sali, në konferencë për shtyp tha se me këtë ligj është përmbyllur një proces, i cili ka kaluar në disa faza dhe është mbyllur me vulë të Komisionit të Venecias.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit, u bë e qartë se shteti nuk mund të vazhdojë me mekanizma të pjeshme, duhej ligj. Ajo që sjell ky ligj, është se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është vetëm parim i përgjithshëm, por bëhet detyrim ligjor për institucionet”, tha mes tjerash Sali./Telegrafi/