Partia e Pavle Trajanovit, Lidhja Demokratik (LD), kërkon që Kuvendi me procedurë të shkurtuar të miratojë ndryshime ligjore që do të ndalonin prodhimin e marihuanës (Cannabis sativa) për qëllime të supozuara mjekësore.
Nga LD thonë se që nga viti 2017 Ministria kompetente e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucione të tjera (Ministria e Bujqësisë, Komisioni Ndërdikasterial dhe të tjera) ka lëshuar 61 licenca për kompani që mund të prodhojnë marihuanë për qëllime mjekësore.
“Është më se e qartë se kontrolli dështoi, prandaj ndodhën vjedhje të rreme, përballje midis mafies së drogës, sekuestrime të kanabisit nga policia etj., por biznesi kriminal vazhdoi, sepse mafia e drogës, e cila përfshinte edhe mbajtës të funksioneve më të larta shtetërore nga qeveria e mëparshme, fitoi fuqi të madhe financiare dhe ndikim politik”, thonë nga LD.
Nga partia theksojnë se “e mbështet fuqimisht veprimin e MPB për sekuestrimin e kanabisit dhe këmbëngul që ajo të veprojë pa dallim dhe të shpallë publikisht pronarët (formalë dhe joformalë) të kompanive që prodhojnë kanabis, kush dhe kur i ka lëshuar licencat për prodhimin e kanabisit etj”.
Ata gjithashtu kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucione të tjera kompetente, të shpallë se sa sasi kanabisi janë prodhuar, ku janë këto sasi (shitur, në magazinë, janë vjedhur, etj.) dhe sa fitim është bërë.
Sipas Lidhjes Demokratike, sasitë e sekuestruara janë shumë për Ballkanin dhe jo për nevojat mjekësore të Maqedonisë.
“Është e qartë se qëllimi fillestar humanitar është abuzuar dhe për këtë arsye nevojiten ndryshime urgjente ligjore”, tha partia.