Sulmuesi i Milanit, Santiago Gimenez, vazhdon të stërvitet i ndarë nga pjesa tjetër e ekipit, edhe pse, sipas Gazzetta dello Sport, mjekët e “Rossonerëve” besojnë se reprezentuesi i Meksikës është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në kyçin e këmbës.
Gimenez ka munguar për rreth një muaj e gjysmë për shkak të një dëmtimi në kyç, i cili madje e pengoi atë të aktivizohej me kombëtaren e Meksikës në muajin nëntor.
Ish-ylli i Feyenoordit vazhdon të stërvitet veçmas në Milanello, megjithatë, sipas Gazzettas, stafi mjekësor i klubit beson se sulmuesi është rikuperuar klinikisht nga problemi në kyç.
E përditshmja italiane shpjegon se, teknikisht, nuk ekziston një diagnozë e qartë për sulmuesin meksikan dhe se Milani nuk ka publikuar kurrë një komunikatë zyrtare lidhur me dëmtimin e tij.
As trajneri Massimiliano Allegri nuk e ka sqaruar plotësisht situatën e Gimenez, pasi tekniku italian vazhdon t’u thotë mediave se shpreson që 24-vjeçari të rikthehet në fushë “së shpejti”. Edhe konferenca për shtyp e sotme nuk bëri përjashtim.
Sipas raportit, perceptimi i dhimbjes nga ana e lojtarit dhe shqetësimi mendor luajnë gjithashtu rol në rikthimin e tij të ngadaltë në aksion.
Aktualisht, data e rikthimit mbetet e paqartë, pasi sulmuesi mund të humbasë edhe ndeshjet e superkupës italiane javën e ardhshme në Arabinë Saudite.
Milani po kërkon një sulmues të ri në afatin e janarit, por Gimenez nuk po e konsideron largimin nga klubi, siç ka konfirmuar së fundmi agjenti i tij./Telegrafi/