Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë, përgjegjësi institucionale dhe në frymën e konsensusit të kërkuar nga Kushtetuta.
Në një qëndrim publik, LDK ka bërë të ditur se takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative dhe me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore.
Sipas kësaj partie, konsensusi nuk mund të trajtohet si garë politike dhe nuk ndërtohet në një proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur. “Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar”, thuhet në reagim.
LDK vlerëson se qasja e Lëvizja Vetëvendosje nuk reflekton përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit, por e trajton procesin si një garë politike. Sipas saj, një qasje e tillë nuk i shërben frymës së Kushtetutës dhe as nevojës për stabilitet institucional.
Më tej, kjo parti shpreh qëndrimin se mënyra se si është zhvilluar procesi nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon vullnet të mirëfilltë për arritjen e një marrëveshjeje të gjerë politike.
Në fund, LDK ka shprehur keqardhje që, sipas saj, për shkak të kësaj qasjeje politike, vendi rrezikon të kalojë afatet kushtetuese dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, në vend se të sigurohet stabiliteti institucional që, siç thekson, qytetarët e presin dhe e meritojnë.