Gjatë spektaklit të natës së kaluar në Big Brother VIP Kosova, u transmetua një klip që ndezi debate të forta si brenda shtëpisë ashtu edhe jashtë saj.
Në video shihej një konflikt mes Labinot Rexhës dhe Londrimit, ku situata u tensionua veçanërisht kur Londrimi e quajti Labin “Noti”, një pseudonim që, sipas Labinotit, i shkaktonte trauma personale.
Labinoti reagoi ashpër, duke ngritur zërin dhe duke e paralajmëruar Londrimin: “Familja ime do të ketë problem me ty jashtë”.
Në Prime, Labi dha një sqarim emocional për arsyen e reagimit të tij, duke treguar se fjala “Noti” i kujtonte një moment dramatik nga e kaluara, kur djali i tij ishte gati të mbytej në det dhe ishte shpëtuar në çastet e fundit. Ai shtoi se që nga ajo ngjarje, familja e tij rrinte shumë pak në det, ndonëse më vonë deklaroi se nuk kishin qenë më fare në det, duke krijuar paqartësi mes dy rrëfimeve.
Kjo temë u rikthye edhe nga opinionistja Olta, e cila vuri në dukje se Labi brenda shtëpisë së BBVK-së e shijon xhakuzin pa hezitim, dhe madje është hedhur edhe në pishinë disa herë, çka u vu re nga shikuesit dhe shkaktoi reagime të shumta në rrjet.
Ndjekësit nisën të diskutonin gjerësisht nëse Labinoti po viktimizohej me këtë histori. Shumë komente rikthyen në vëmendje momentin kur ai vetë e kishte akuzuar Elijonën për “viktimizim” kur ajo foli për humbjen tragjike të nënës dhe motrës në aksident, duke krijuar një kontrast me mënyrën se si ai po përdorte historinë personale për t’i kërkuar Londrimit të mos e thërriste më “Noti”.
Ajo që e bëri edhe më të diskutueshme çështjen ishte një detaj që nuk kaloi pa u vënë re: në disa postime të vjetra në Instagram, përfshirë një fotografi pranë pishinës, vetë Labinoti e ka përdorur pseudonimin “Noti”, duke shkruar në fund të përshkrimit: “Labinot Rexha Noti”.
Labinot Rexha/Instagram
Ky fakt solli dyshime të reja për rrëfimin e tij dhe e bëri situatën edhe më të komentuar, pasi rezultonte se Labi vetë i ishte referuar më herët vetes me këtë nofkë që tani e cilësonte si traumë.
Ngjarja vazhdon të diskutohet gjerësisht nga publiku, ndërsa dilema kryesore qëndron: A ishte reagimi i Labit një reagim emocional i sinqertë apo një viktimizim përballë Londrimit? /Telegrafi/
Labinot Rexha/Instagram