Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari –Lila bëri të ditur se sot nënshkroi inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).
Kusari-Lila theksoi se ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.
Lexoni të plotë postimin:
Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).
Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.
Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me:
– rritje të papritura të çmimeve
– mungesë të produkteve themelore
– çrregullime në furnizim
Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik.
Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide.
Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik. /Telegrafi/