Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku i është përgjigjur kryeministrit Kurti teksa ky i fundit tha se është i gatshëm t’ia ofrojë disa nënshkrime PDK-së për të propozuar kandidatin e tyre për president.
Çitaku ka theksuar se PDK është një parti shtetformuese dhe se përgjegjësinë për stabilitetin e vendit e mban edhe sot.
Në një postim në rrjetet sociale, nënkryetarja e PDK-së, tha se takimi i kryetarit të partisë, Bedri Hamza, me kryeministrin Albin Kurti, nuk kishte për qëllim të bënte pazare politike, por të ofronte mundësi reale për të dalë nga cikli i krizave politike në të cilin vendi është katandisur.
“Ne kemi shkuar me seriozitet, me përgjegjësi dhe me vullnet për zgjidhje. Jemi të gatshëm të ofrojmë kandidatura që garantojnë siguri institucionale, balancë politike dhe personalitete që do të jenë garant të rendit kushtetues. Nuk kemi shkuar për të ofruar kundërkandidat formal për hir të inatit apo konsum ditor politik”, shkroi Çitaku.
Ajo theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është një test force mes partive, por një moment vendimtar për stabilitetin institucional, besimin qytetar dhe orientimin shtetëror të Kosovës. “Tani është koha që shumica parlamentare të reflektojë”, shtoi ajo.
Pas takimit, Kryeministri Albin Kurti u shpreh se vendimi i PDK-së për të propozuar një kandidat është “lajm i mirë” dhe se kjo sjell shpresë për një garë interesante në javën e ardhshme. Ai paralajmëroi se po shkohet drejt një gare partiake për President.
Kurti gjithashtu përmendi se PDK-ja ka 22 deputetë në Kuvend dhe i duhen edhe 8 nënshkrime shtesë për të çuar zyrtarisht propozimin në Kuvend, duke theksuar se edhe LVV-ja mund të ndihmojë në sigurimin e tyre./Telegrafi/