Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dënuar çdo tentativë manipulimi të votave brenda subjekteve politike, duke theksuar se individët që përfshihen në manipulime nuk do të përfitojnë amnisti.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash duke dëmtuar kolegë dhe subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se Vetëvendosje ka qenë gjithmonë mbrojtëse e vullnetit politik të qytetarëve dhe se integriteti i procesit zgjedhor do të ruhet përherë.
Kurti theksoi se Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe se çdo dyshim për manipulime duhet të trajtohet përmes ligjit.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, dhe këto raste nuk duhet të përsëriten kurrë më”, përfundoi ai.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu gjatë ditës së djeshme ka thënë se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. /Telegrafi/