Ndryshimet në nishanet e lëkurës nuk duhet të injorohen, pasi në disa raste ato mund të jenë shenjë e problemeve më serioze shëndetësore.
Për këtë çështje ka folur dermatologia Rejhane Bislimi-Berisha në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, ku theksoi rëndësinë e monitorimit të çdo ndryshimi që ndodh në nishane.
Sipas saj, çdo ndryshim i dukshëm në një nishan duhet të merret seriozisht dhe të kontrollohet nga një dermatolog.
“Çdo nishan që ndryshon në madhësi, formë apo ngjyrë duhet të vlerësohet nga një specialist”, tha Bislimi-Berisha.
Ajo shpjegoi se një nga shenjat që duhet të tërheqë vëmendjen është rritja e shpejtë e nishanit, si dhe ndryshimi i kufijve të tij, kur forma bëhet e parregullt ose jo simetrike.
“Nëse një nishan fillon të ndryshojë formën, të zmadhohet ose të marrë ngjyra të ndryshme, atëherë është e rëndësishme të bëhet kontroll dermatologjik”, theksoi ajo.
Sipas dermatologes, një tjetër shenjë që kërkon kujdes është edhe kruarja, gjakderdhja apo iritimi i nishanit, sidomos nëse këto simptoma shfaqen pa ndonjë arsye të qartë.
“Nishanet që fillojnë të kruhen, të gjakosin apo të irritohen janë sinjale që nuk duhen neglizhuar dhe kërkojnë kontroll mjekësor”, u shpreh Bislimi-Berisha.
Ajo theksoi se kontrolli i rregullt i lëkurës dhe vizitat periodike tek dermatologu janë shumë të rëndësishme për zbulimin e hershëm të ndryshimeve të dyshimta.
“Diagnostikimi në kohë është faktori më i rëndësishëm për trajtimin e suksesshëm dhe për parandalimin e komplikimeve më serioze”, tha dermatologia.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com