Mallorca është në prag të një skenari të dhimbshëm, të bjerë nga kategoria pavarësisht se ka në skuadër një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit. Në ndeshjen e fundit të sezonit, ekipi nga ishulli duhet të fitojë dhe të shpresojë në një kombinim rezultatesh për ta shmangur rënien nga La Liga.
Për të qëndruar në elitë, Mallorca ka nevojë jo vetëm për tri pikë, por edhe që Elche dhe Osasuna të humbasin, si dhe që Levante të mos fitojë (të paktën të marrë vetëm një pikë).
Përndryshe, mbijetesa bëhet pothuajse e pamundur, edhe pse Vedat Muriqi po zhvillon sezonin më të mirë të karrierës në Spanjë.
Sulmuesi i Kosovës ka shënuar 22 gola në La Liga këtë edicion, vetëm dy më pak se Kylian Mbappé në garën për “Pichichi”. Megjithatë, kontributi i tij individual mund të mos mjaftojë për objektivin kolektiv të Mallorcas, e cila është shumë pranë rënies nga kategoria.
Nëse rënia e Mallorcas konfirmohet, ajo do të bëhet skuadra e katërt në historinë e La Ligas që bie nga kategoria me një futbollist që shënon më shumë se 20 gola në një sezon. Muriqi aktualisht ka realizuar 22 gola, që përbëjnë rreth 50 për qind të totalit të golave të skuadrës (44). Këto shifra nxjerrin në pah ndikimin e tij, por njëkohësisht edhe mungesën e golave nga pjesa tjetër e ekipit.
Sipas gazetarit Pedro MartIn (COPE), tre precedentët e mëparshëm janë Sporting Gijón, Rayo Vallecano dhe Atlético Madrid.
Quini (Sporting Gijón, 1975/76)
Sezoni 1975/76 përfundoi keq për Sporting Gijón, pavarësisht se kishte në skuadër një nga sulmuesit më të mirë në historinë e futbollit spanjoll, Enrique Castro “Quini”.
Ai u shpall golashënuesi më i mirë i ligës me 21 gola, por brishtësia dhe kriza e rezultateve e çuan Sportingun në rënie, duke e mbyllur sezonin me 24 pikë (7 fitore, 10 barazime, 17 humbje).
Fernando Morena (Rayo Vallecano, 1979/80)
Rayo Vallecano bëri një investim të madh duke e sjellë Fernando Morenan nga Penarol. Uruguaiani shënoi 21 gola në një sezon të shkëlqyer në aspektin personal, por destabiliteti i ekipit dhe rezultatet e dobëta e dënuan Rayon me rënie.
Rayo e mbylli sezonin me 26 pikë në 38 ndeshje (9 fitore, 8 barazime, 17 humbje).
Jimmy Floyd Hasselbaink (Atlético Madrid, 1999/00)
Një tjetër rast i bujshëm ndodhi në sezonin 1999/00, kur Atlético Madrid ra në kategorinë e dytë edhe pse Jimmy Floyd Hasselbaink shënoi 24 gola në 34 ndeshje kampionale.
Edhe pse holandezi ishte pranë fitimit të çmimit të golashënuesit, problemet e brendshme të klubit, paqëndrueshmëria dhe ndryshimet e shpeshta të trajnerëve e shtynë Atleticon drejt një sezoni katastrofik.
Tani, Mallorca dhe Muriqi janë pranë këtij “rekordi” të hidhur. Dhe nëse skenari i rënies konfirmohet, do të shtohet edhe një shembull tjetër se si, në futboll, një golashënues i madh nuk garanton domosdoshmërisht shpëtimin e një skuadre. /Telegrafi/