Mesfushori shqiptar Granit Xhaka ka ndarë një rrëfim tejet emocional për fëmijërinë e tij, duke zbuluar sakrificat e mëdha të prindërve dhe vështirësitë që ka kaluar në moshë shumë të hershme.
Në një intervistë të publikuar nga Premier League, Xhaka theksoi se një nga momentet më të vështira të jetës së tij ishte fakti që ai dhe vëllai i tij kalonin deri në 18 orë vetëm në shtëpi, për shkak të angazhimeve të shumta të prindërve.
“Kam qenë lider që në moshën katërvjeçare. Prindërit e mi punonin gjatë gjithë ditës dhe bënin edhe punë shtesë që ne të kishim kushte më të mira. Kishte ditë kur qëndronim vetëm në shtëpi për 18 orë”, u shpreh ai.
Futbollisti tregoi se, ndonëse ishte vetëm katër vjeç, ai mbante përgjegjësi të mëdha në shtëpi, madje kishte edhe çelësin, ndërsa vëllai i tij ishte vetëm një vit më i madh.
Duke krahasuar atë periudhë me jetën e tij aktuale si prind, Granit Xhaka u shpreh se nuk mund ta imagjinojë që fëmijët e tij të përballen me një situatë të tillë.
“Sot jam baba dhe nuk mund ta mendoj që vajzat e mia, katër dhe gjashtë vjeç, të qëndrojnë vetëm në shtëpi për kaq gjatë. Por kjo ishte jeta jonë atëherë”, tha ai.
Aktualisht, Granit Xhaka ka zhvilluar 26 paraqitje këtë sezon në Premier League, ku në shumicën e ndeshjeve ka qenë titullar, duke kontribuar me një gol dhe pesë asistime. /Telegrafi/