Kosova ndodhet në një moment të ndjeshëm kushtetues dhe politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën për procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Në këtë situatë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, vlerëson se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Këtë e ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, interpretimi përfundimtar i Kushtetutës i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, ndërsa debatet publike mbeten në nivel interpretimesh të lira.
“Interpretimin shtetëror e bën Gjykata Kushtetuese. Ne mund të japim vetëm mendime, orientime dhe rekomandime”, theksoi Kryeziu.
Ai shton se norma kushtetuese shpesh mund të jetë e paqartë dhe kërkon interpretim profesional nga juristët.
“Norma kushtetuese shpesh është e mjegullt… interpretimi bëhet me një kod – jo çfarë thotë, por çfarë ka dashur të thotë autori”, deklaroi ai.
“Presidentja ka pasur detyrë, jo vetëm të drejtë”
Duke folur për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, Kryeziu vlerëson se ai është i bazuar në Kushtetutë dhe rrjedh nga detyrimet kushtetuese të këtij institucioni.
“Presidenti ka për detyrë kushtetuese shpërbërjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë autoritet tjetër”, u shpreh ai.
Madje, sipas tij, ky veprim nuk ishte vetëm opsion, por obligim kushtetues.
“E ka bërë këtë jo që ka pasur të drejtë, por ka pasur detyrë”, theksoi Kryeziu.
Zgjedhjet si zgjidhje e vetme
Kryeziu është i qartë se, në kushtet aktuale, rruga e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke iu referuar drejtpërdrejt dispozitave kushtetuese.
“Sipas mendimit tim, duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Ai argumenton se dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit aktivizon mekanizmat kushtetues për shpërndarjen e tij.
“Parlamenti i Kosovës nuk ka arritur ta zgjedhë Presidentin… konsiderohet se ka dështuar. Si masë ndëshkuese është shpërndarja e Parlamentit”, tha Kryeziu.
Masa pezulluese dhe roli i Gjykatës e kritikat për interpretimet politike
Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të veprimeve, Kryeziu thekson se kjo është një masë procedurale që mund të zgjasë deri në tre muaj.
“Masa pezulluese mund të zgjasë deri në tre muaj, nëse gjykata nuk mund të marrë një vendim meritor”, tha ai.
Megjithatë, ai shton se dekreti i presidentes tashmë ka hyrë në fuqi.
“Dekreti ka hyrë në fuqi”, theksoi Kryeziu.
Kryeziu kritikon interpretimet politike të Kushtetutës, duke theksuar se ato duhet të bazohen në dispozita konkrete ligjore.
“Nëse interpretimi bëhet pa nene dhe pa kapituj, ajo quhet përrallë juridike”, u shpreh ai.
Në fund, ai thekson se mungesa e kompromisit politik është një nga problemet kryesore që po e çon vendin në kriza të tilla.
“Në shtetet demokratike elementi bazik është kompromisi… kjo duhet të tejkalohet”, tha Kryeziu.
Sipas tij, zvarritja e proceseve dhe mungesa e vendimmarrjes mund të ketë pasoja për funksionimin institucional dhe imazhin e Kosovës. /Telegrafi/.