Kryetarja e bashkisë së Roterdamit, e cila thotë se ka frikë nga lartësitë, është zotuar të zbresë me kabllo nga kulla më e lartë e qytetit nëse pjesëmarrja rritet në zgjedhjet lokale të së mërkurës.
Carola Schouten postoi një video në Instagram të martën nga platforma e vëzhgimit të Euromastit të Roterdamit, monumentit të qytetit 185 metra të lartë që aktualisht është duke u rinovuar.
“E kam thënë më parë se jam e përgatitur të bëj gjithçka për të siguruar që pjesëmarrja të jetë më e lartë për këto zgjedhje komunale”, tha kryebashkiakja.
Ajo tha se ishte pyetur nëse kjo do të përfshinte edhe zbritjen nga Euromasti, “më i larti në Evropë” sipas faqes së saj të internetit, transmeton Telegrafi.
“Duhet ta dini se kam një frikë të madhe nga lartësitë – në fakt jam pak e dridhur edhe duke qenë këtu lart”, tha Schouten.
Por ajo tha se do të lëshohej nga platforma e vëzhgimit 100 metra lart nëse pjesëmarrja do të ishte më e lartë se 38.9 përqind katër vjet më parë – më e ulëta në vend.
“Madje i kam bërë gati gjërat”, tha ajo, ndërsa një punëtor kaloi pranë pajisjeve të saj të zbritjes me rrëshqitje.
“Pra, nëse doni të më shihni të varur, sigurohuni që të votoni më 18 mars”, u zotua kryebashkiaku.
Holandezët ia kanë mësyrë sot qendrave të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe zyrtarët e bashkisë, me sondazhet që sugjerojnë se partitë lokale do të gëzojnë më shumë sukses. /Telegrafi/